
Reali aktivizon klauzolën prej 50 milionë paundësh për Dean Huijsen
Real Madrid është hedhur në sulm për afatin kalimtar të kësaj verë.
‘Los Blancos’ raportohet se janë duke e aktivizuar klauzolën e lirimit prej 50 milionë paundësh për mbrojtësin e Bournemouth, Dean Huijsen.
Qendërmbrojtësi 20-vjeçar ka shpërthyer këtë sezon të garave në Premier League, duke luajtur çdo minutë që nga ndeshja ndaj Tottenham Hotspur në dhjetor, pas një lëndimi të Marcos Senesi.
Me paraqitjet e tij mbresëlënëse, Huijsen ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane si Chelsea, Arsenal, Bayern Munich dhe Liverpool. Megjithatë, siç raportohet, është Real Madridi ai që ka bërë lëvizjen e parë konkrete.
Sipas gazetarit të njohur David Ornstein, marrëveshja është shumë pranë finalizimit. Tani mbeten vetëm detajet e fundit për kushtet personale mes klubit dhe lojtarit.
“Real Madrid ka aktivizuar klauzolën prej 50 milionë paundësh në kontratën e Dean Huijsen dhe është duke punuar për të finalizuar transferimin e mbrojtësit të Bournemouth. Bisedimet për kushtet personale janë në fazë të avancuar dhe përfaqësuesit e lojtarit ndodhen në Madrid për të mbyllur marrëveshjen,” raporton gazetari Ornstein.
Huijsen, që përfaqëson Spanjën, pritet të jetë përforcim afatgjatë për mbrojtjen e madrilenëve.