Real-Union Berlin dhe Galatasaray-Copenhagen, kështu mbyllen pjesët e para
Kanë përfunduar pjesët e para në dy ndeshjet që po zhvillohen në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Real Madrid është duke barazuar pa gola me Union Berlinin, derisa Copenhagen ndodhet në epërsi ndaj Galatasaray.
“Los Blancos” dominuan plotësisht ndaj skuadrës gjermane por deri më tani ende s’e kanë gjetur rrugën drejtë rrjetës.
Real Madrid kishte disa mundësi shënimi përmes Joselus që dështoi nga afërsia, si dhe Rodrygo dhe Bellingham mirëpo nuk arritën t’i finalizonin.
Ndërkohë, Union Berlin veçse u mbrojt duke tentuar disa kundërzbritje që gjithashtu ishin të pasuksesshme, shkruan nacionale.
Në anën tjetër, Copenhagen ndodhet në epërsi ndaj Galatasarayt me rezultat minimal 0:1.
Gjiganti turk ishte shumë herë më i mirë gjatë tërë kohës duke zhvilluar lojë sulmuese me aksione të shumta mirëpo nuk i konkretizuan asnjë prej tyre.
Për një moment, Copenhagen zhvilloi një kundërzbritje të shpejtë ku Mohamed Elyounoussi realizoi me kokë pas harkimit të Lukas Lerager (35’).