Real Madridi shpartallon Las Palmas, merr ‘timonin’ në La Liga

Real Madridi shpartallon Las Palmas, merr ‘timonin’ në La Liga

Real Madridi ka shënuar fitore të thellë në shtëpi ndaj Las Palmas, në kuadër të xhiros së 20-të në La Liga.

“Los Blancos” i arkëtuan pikët e plota falë një përmbysje nga 0:1 në 4:1, sfidë që e dominuan në të gjitha aspektet.

Mysafirët i befasuan të gjithë për të kaluar në epërsi pas vetëm 40 sekondave falë Silvas, që u asistua nga Ramirez (1’).

Sidoqoftë, Reali u kthye në lojë përmes Kylian Mbappe që u tregua i saktë nga pika e bardhë (18’).

Brahim Diaz pastaj e përmbysi epërsinë pas bashkëpunimit fantastik me Lucas Vazquez (33’).

Ndërsa, vetëm tre minuta më vonë Kylian Mbappe shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për madrilenët (36’).

Francezi në fakt shënoi sërish për het-trikun, megjithatë goli u anulua nga VAR-i për pozitë jashtë loje.

Madrilenët ishin mahnitës edhe në pjesën e dytë, ku Rodrygo u përkujdes për golin e katërt nga afërsia pas asistimit të Fran Garcias (57’).

Situata për Las Palmas veçse u vështirësua sapo Ramirez u ndëshkua me karton të kuq, shkaku i një ndërhyrje të rëndë (64’).

Reali shënoi edhe dy gola përmes Jude Bellingham dhe Federico Valverde, megjithatë të dyja u anuluan nga VAR-i.

Me këtë triumf, Reali bëhet lideri më i ri në La Liga me 46 pikë, dy mbi Atleticon derisa Las Palmas zë pozitën e 14-të me 22 sosh.

Share This