Real Madrid i jep leksion Gironas dhe “blindon” kreun

Real Madrid i jep leksion Gironas dhe “blindon” kreun

Real Madrid ka shënuar fitore të thellë në shtëpi ndaj pozitës së dytë Girona, për t’u shkëputur edhe më shumë në kreun e La Liga-s.

“Los Blancos” ishin të hatashëm duke fituar me rezultat të thellë 4:0.

Pas vetëm gjashtë minutave, Vinicius Junior me një eurogol nga distanca i dha epërsinë Realit (6’).

Braziliani vazhdoi të shkëlqejë, duke asistuar me të jashtmen për Jude Bellingham që nuk gaboi nga afërsia për 2:0 (35’).

Real Madrid vazhdoi me të njëjtin ritëm edhe në pjesën e dytë për t’i arkëtuar pikët e plota. Vinicius sërish kreu shumicën e punës, me Bellingham që realizoi prapë nga afërsia për të qetësuar tifozët vendas (54’).

Kurse, fitoren e vulosi Rodrygo me një solo gol duke dribluar nga gjysma e fushës (61’).

Reali kishte edhe një rast të artë, por Joselu dështoi nga pika e bardhë (90’).

Madrilenët tani janë lider në La Liga me 61 pikë, katër më shumë se Girona që renditet e dyta me 56 sosh.

Share This