Real Madrid dhe Bayern Munich kualifikohen në fazën e eliminimit direkt
Si Real Madrid, ashtu edhe Bayern Munich i janë bashkuar Manchester Cityt në raundin e 16-të më të mirave pas katër fitoreve radhazi.
“Los Blancos” shijuan fitoren e katërt radhazi në grup, duke triumfuar bindshëm 3:0 ndaj Bragas.
Mysafirët kishin rastin e artë për të kaluar në epërsi mirëpo Djalo dështoi të shënonte nga pika e bardhë, me Andriy Lunin që bëri një pritje fantastike.
Pas kësaj, Reali krijoi një aksion të bukur me Brahim Diaz që shënoi nga afërsia pas asistimit të Rodrygos (27’).
Real Madrid vazhdoi të jetë më dominues edhe në pjesën e dytë, me Vinicius Junior që realizoi një gol të bukur pas asistimit të Lucas (58’).
Ndërsa, fitoren e vulosi vetëm tre minuta më vonë Rodrygo me një parabolë të bukur (61’).
Kësisoj, Real Madrid kualifikohet tutje pasi ka arkëtuar 12 pikë, që është nëntë më shumë se Braga që renditet e treta.
Përpos Realit, edhe Bayern Munich ka siguruar avancimin në fazën e eliminimit direkt pas fitores 2:1 ndaj Galatasaray.
Njësoi si para dy javëve, derbi mes Bayernit dhe Gatalas ishte shumë i zjarrtë dhe u vendos krejt në fund.
Të dy skuadrat kishin raste të shumta shënimi mirëpo deri vonë nuk arritën t’i finalizonin.
Harry Kane ishte heroi i “Bavarezëve” duke kaluar Bayernin në epërsi me një gol me kokë pas harkimit të Joshua Kimichut (80’).
Anglezi shënoi sërish – këtë herë nga afërsia pas asistimit të Mathys Tel (86’).
E tëra që bëri Galata ishte goli i nderit i realizuar nga Cedric Bakambu në minutat shtesë (90+6′), shkruan nacionale.
Kështu, Bayern avancon me 12 pikë të mbledhura në grupin A derisa Man United dhe Galata do të “luftojnë” për vendin e dytë.