Reagon presidenti i Dritës pas bojkotit nga “Intelektualët”: Kjo tregon se nuk e doni klubin e zemrës
Një nga dy presidentët e FC Dritës, Valon Murseli, ka reaguar pas vendimit të “Intelektualëve” për të bojkotuar klubin gjilanas.
Sipas njoftimit të lëshuar nga ky tifo-grup, ata do të bojkotojnë klubin deri në shkarkimin e trajnerit, Akis Vavalis, dhe drejtorit sportiv, Valon Zymberi, të cilët i shohin si fajtorët kryesorë për mos-sukseset e Dritës.
Murseli përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” ka reaguar duke thënë se “të bësh bojkot për individë e tregon që nuk e do klubin e zemrës”.
Ai gjithashtu paralajmëroi se Drita do të rikthehet edhe më e fortë.
“Të bësh bojkot për individë e tregon që nuk e do klubin e zemrës. Për ta ditur të gjithë: Feti Murseli, Ilaz Shkodra, Valon Zymberi, Jetmir Salihu dhe Fatos Ramadani janë = Flamur Bunjaku dhe Valon Murseli. Drita do të rikthehet më e fortë”, shkroi presidenti i Dritës.