Reagon Presidenca: Zotëria i Parë s’ka kërkuar mbrojtje të afërt, vlerësimet e sigurisë i bëjnë institucionet
Presidenca e Kosovës ka mohuar që zotëriu i parë, Prindon Sadriu, të ketë kërkuar mbrojtje të afërt.
Në reagimin e presidencës thuhet se mbrojtja e afërt i ofrohet familjes së Presidentes në përputhje me ligjin dhe me vlerësimet e rrezikshmërisë.
“Zotëria i Parë nuk ka kërkuar mbrojtje të afërt. Mbrojtja e afërt i ofrohet familjes së Presidentes në përputhje me ligj dhe me vlerësimet e rrezikshmërisë. Pika 4.3 e procedurave standarde të operimit të njësisë për vlerësimin e kërcënimit dhe rrezikut parashohin me automatizëm nivelin e lartë të rrezikshmërisë, i cili i takon Presidentes së Kosovës dhe familjes së ngushtë të saj.” – thuhet në reagim.
Ndër të tjera, nga presidenca kanë reaguar se ditëve të fundit ka pasur kanosje, kërcënime dhe nxitje dhune virtuale ndaj presidentes Vjosa Osmani dhe familjes së saj të ngushtë.
“Gjatë ditëve të fundit ka pasur vazhdimisht kanosje, kërcënime dhe nxitje dhune virtuele ndaj Presidentes dhe familjes së saj të ngushtë, të cilat janë deponuar dhe janë duke u trajtuar nga Policia e Kosovës. Zotëria i Parë personalisht nuk ka kërkuar asgjë. Vlerësimet e sigurisë i bëjnë institucionet e sigurisë.” – thuhet në fund të reagimit.