Ai ka thënë se të gjithë mund të gabojnë, por këto akuza që po bëhen nga njerëz që nuk përfaqësojnë askënd në futboll vetëm sa po e ulin imazhin e assesi të kontribuojnë në ngritje të tije.
“E vërej edhe se individë nga fusha të ndryshme profesionale po komplikojnë situatën duke dhënë deklarata që nuk përfaqësojnë realitetin e futbollit të Kosovës. Ne, që jemi pjesë e këtij futbolli për shumë vite dhe që përpiqemi ta përmirësojmë atë me njohuritë dhe kompetencat tona, ndonjëherë mund të gabojmë si njerëz, por nuk duhet të flasim në emër të një institucioni tjetër”, ka shkruar Batatina.
Postimi i plotë i Tahir Batatinës:
REAGIM
Duke parë zhvillimet e fundit në futbollin e Kosovës, dhe sidomos në ditët e fundit, ku janë bërë shumë akuza që nuk e ndihmojnë futbollin e Kosovës, është e dukshme se po dallohen kritikat sportive nga akuzat e pa-bazuara. Kritikat sportive ndihmojnë për përmirësimin e futbollit, ndërsa akuzat dhe deklaratat që nuk përfaqësojnë realitetin e futbollit kosovar, veçanërisht progresin e arritur në vitet e fundit, vetëm sa e dëmtojnë imazhin e tij.
Aktualisht kemi përparuar në renditjen e klubeve dhe jemi në pozitën e 32, që është një progres i rëndësishëm dhe një ngritje e dukshme për futbollin e Kosovës.
E vërej edhe se individë nga fusha të ndryshme profesionale po komplikojnë situatën duke dhënë deklarata që nuk përfaqësojnë realitetin e futbollit të Kosovës. Ne, që jemi pjesë e këtij futbolli për shumë vite dhe që përpiqemi ta përmirësojmë atë me njohuritë dhe kompetencat tona, ndonjëherë mund të gabojmë si njerëz, por nuk duhet të flasim në emër të një institucioni tjetër.
Dua të theksoj se, në emër të klubeve, do të flasim gjithmonë ne që investojmë miliona çdo vit në futbollin e Kosovës, dhe jo dikush tjetër që nuk përfaqëson klubet. Nuk duhet të ketë individë që flasin në emër të përfaqësuesve të klubeve, pasi ne jemi ata që përfaqësojmë futbollin e Kosovës dhe ne vendosim për të ardhmen e tij. Asnjëherë nuk do të gjeni një postim timin ku nuk i përkas atij institucioni, sepse nuk është etike të komentoj situatën e një institucioni që nuk i përkas.
Gazetaria duhet të kryejë punën e vet, politika punën e saj, dhe njerëzit e sportit dhe futbollit duhet të bëjnë punën e tyre. Nëse ndonjë kandidat mendon se mund të kontribuoj më mirë për futbollin e Kosovës, duhet të dalë publikisht dhe të prezantoj programin dhe projektin e tij për futbollin e Kosovës. Ne, klubet dhe delegatët, do ta vlerësojmë atë dhe ky proces duhet të ndodhë brenda institucionit dhe jo në mënyrë sporadike, sepse kështu vetëm humbasim dashurinë për futbollin dhe emocionet që ofron ai, pa kontribuar në ngritjen e sportit.
Edhe unë kam gabuar ndonjëherë, sepse jemi njerëz dhe ndonjëherë gabojmë. Por nuk duhet të flasim sikur nuk jemi pjesë e këtij futbolli. Futbolli i Kosovës nuk e meriton të ulet dhe të mos vlerësohet nga ata që nuk kanë dhënë asgjë për të. Ne, njerëzit e klubeve, nuk duhet t’i nënshtrohemi askujt, sepse ne jemi ata që mbajmë gjallë klubet tona me mjete tona, dhe ne do të vendosim kush duhet të jetë në krye të futbollit të Kosovës, gjithmonë duke prezantuar një program për të ardhmen.
Në fund, dua të theksoj se duhet të mendojmë për të ndërtuar këtë institucion dhe jo për ta grabitur, sepse kemi edhe gjëra të mira, dhe gjithmonë ka vend për përmirësime.
Me respekt,
Tahir Batatina