Raportohet se ShBA-ja i ka anuluar trajnimet e policisë si “sanksion”
Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës për një kohë nuk do të jenë pjesë e trajnimeve ndërkombëtare të organizuara e mbështetura nga ShBA-ja.
Siç ka mësuar Dukagjini nga burime të afërta me këto zhvillime, krejt kjo është bërë si formë sanksionimi për veprimet e Qeverisë dhe Policisë në veri të Kosovës, kur mbylli komunat paralele serbe.
“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, kishte paralajmëruar atë kohë Ambasada amerikane në Prishtinë.
Këtë mërkurë, ata nuk janë përgjigjur në pyetjet e televizionit nëse kanë shkëputur bashkëpunimin e tillë me Policinë.
Se zyrtarët policor janë lënë jashtë këtyre trajnimeve, nuk është pohuar por as mohuar nga Policia e as nga Ministria e Punëve të Brendshme, të cilat i ka pyetur televizioni.