Raporti i DASH, rekomandohet ndjekja me forcë e krimeve të trafikimit
Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin vjetor mbi trafikun e qenieve njerëzore në mbarë botën.
Raporti i ndan vendet në tre nivele. Në nivelin e parë përfshihen vendet qeveritë e të cilave respektojnë plotësisht standardet minimale.
Në nivelin e dytë hyjnë ato vende, përpjekjet e të cilave nuk plotësojnë tërësisht standardet minimale, por që qeveritë bëjnë përpjekje të konsiderueshme për ta arritur një gjë të tillë.
Në nivelin e tretë futen vendet përpjekjet e të cilave nuk plotësojnë tërësisht standardet minimale dhe që qeveritë nuk bëjnë përpjekje në këtë drejtim.
Si Shqipëria ashtu edhe Kosova renditen këtë vit, ashtu si edhe vitin e kaluar, në kategorinë e vendeve të nivelit të dytë.
Kosova
Në raport thuhet se qeveria demonstroi përpjekje të përgjithshme në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme. Ato përfshinin dënimin e të gjithë trafikantëve me burgim, aty ku ishte e përshtatshme dhe mos shqiptimin e ndonjë dënimi vetëm me gjobë.
Në raport thuhet se qeveria rriti përpjekjet e përgjithshme parandaluese, përfshirë shtimin e fondeve për fushatat ndërgjegjësuese dhe shpërndarjen e manualeve për parandalimin e trafikimit të fëmijëve.
Por në raport konstatohet se megjithatë, qeveria nuk i përmbushi standardet minimale në disa fusha kyçe.
“Qeveria hetoi dhe ndoqi penalisht më pak të dyshuar dhe identifikoi më pak viktima. Edhe pse gjyqtarët dhanë dënime më të forta, dënimet megjithatë ishin nën dënimin minimal të parashikuar nga ligji kundër trafikimit”, vijon më tej raporti.
Në raport konstatohet me shqetësim edhe fakti se kodi penal i Kosovës e klasifikon lypjen e detyruar të fëmijëve nga prindërit e tyre si neglizhencë, ose abuzim prindëror dhe jo trafikim, duke e vështitëruar identifikimin e kësaj vepre si dhe referimin e viktimave potenciale tek shërbimet e duhura.
Rekomandime
Raporti rekomandon hetimin dhe ndjekjen me forcë të krimeve të trafikimit si dhe dhënien e masave të duhura të dënimit për trafikantët, duke përfshirë zyrtarët që bashkëpunojnë me ta.
Po kështu kërkohet identifikimi në mënyrë proaktive i viktimave të trafikimit duke kontrolluar treguesit e trafikimit mes popullatës së ndjeshme përfshirë individët e përfshirë në seks komercial; fëmijë; komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane.
Në raport sugjerohet ofrimi i trajnimeve të avancuara për gjyqtarët, prokurorët dhe forcat e rendit mbi hetimin dhe ndjekjet penale të rasteve të trafikimit.
Po kështu kërkohet forcimi i masave të ruajtjes së privatësisë së viktimës e që informacionet e tyre të mos shpërndahen.
Më tej në raport sugjerohet rritje e mbështetjes së qeverisë për shërbimet gjithëpërfshirëse të trajnimit profesional si dhe riintegrimit të viktimave.
Gjatë publikimit të këtij raporti, Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken, tha se dokumenti ofron vlerësimin më gjithëpërfshirës rreth fenomenit si dhe përpjekjeve të qeverive për ta luftuar atë.
Ai shtoi se duke matur përparimin e shënuar në 188 vende – përfshirë Shtetet e Bashkuara – Uashingtoni synon zbatimin e angazhimit të Presidentit Biden për të parandaluar trafikimin, për të ndjekur penalisht autorët e këtij krimi, si dhe mbrojtjen e viktimave të tij.
Sekretari Blinken tha se rreth 27 milionë individë në të gjithë botën janë të shfrytëzuar për punë, shërbime dhe seks komercial. Nëpërmjet forcës, mashtrimit dhe detyrimit, ata detyrohen të punojnë në fusha dhe fabrika, në restorante dhe banesa. Viktima janë individët më të pambrojtur në botë – duke përfituar nga gjendja e tyre e vështirë. /VOA/