Rapid Bukureshti jep lajmin e mirë: Lëndimi i Rrahmanit s’është serioz
Rapid Bukureshti ka njoftuar se lëndimi i sulmuesit Albion Rrahmani nuk është serioz dhe që ky i fundit do të kthehet në stërvitje ditëve në vijim.
Kishte frikë te skuadra rumune pasi Rrahmani lëndoi këmbën, nga e cila ishte jashtë për disa muaj vitin e kaluar, ku në përballjen ndaj Clujit u largua nga fusha me lot në sy.
Sidoqoftë, Rapidi tani me anë të një komunikate zyrtare i ka informuar tifozët se asgjë s’është serioze dhe që Rrahmani nuk ka dëmtuar rëndë këmbën.
“Pas analizave të specializuara të kryera ditën e sotme, rezultoi se nuk ka dëmtime në nivel kockor apo në nivel frakture. Plaga është vetëm në lëkurë dhe muskuj. Ndaj shpresojmë që Albion të kthehet në stërvitje sa më shpejt”, shkroi klubi ndër të tjera.
Rrahmani që do të kthehet në stërvitje ditëve në vijim e nisi për mrekulli sezonin, duke shënuar golin e parë në barazimin 2:2 ndaj Clujit, shkruan nacionale.
Kësisoj, nëse gjithçka shkon sipas planit Rrahmani do të jetë gati qysh për ndeshjen e radhës, që Rapidi e zhvillon kundër Petrolul më 29 korrik.