Ramadani: Vuçiqi, një Millosheviq i vogël pa dhëmbë
Ish-inspketori i Agjencisë për Inteligjencës, Burim Ramadani, ka reaguar pas fjalimit që ka mbajtur ditën e premte, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku ka shpalosur disa kërkesa për Kosovën.
Ramadani në një reagim të bërë në Facebook ka pohuar se dallimi ndërmjet Vuçiqit dhe Millosheviqit nuk është të qëllimi, por te kapaciteti.
“Retorika ultra-nacionaliste e lidershipit në Serbi jo vetëm që po dëmton mundësitë për ecje para të rajonit tonë, por edhe po mban tensionimin në gjendje të vazhdueshme. Nuk do mend që – bazuar në retorikën dhe veprimet – Vuçiq është një Millosheviq i ri, derisa atij të vjetrit i pati shërbyer me besnikëri. Dallimi i Vuçiqit mr Millosheviqin nuk është te qëllimi, por te kapaciteti”, ka pohuar ai.
Tutje, Ramadani shkrun se “Vuçiqi sot është pa dhëmbë”.
“Nuk ka kapacitet luftarak, megjithëse qëllimet i ka të njëjta me paraardhësit e tij politik. Pra, synon “Serbinë e Madhe” apo “Botën Serbe” në kurriz të popujve tjerë në Ballkan”, vijon reagimi.
Mes tjerash, ai ka pohuar se “në anën tonë, në Kosovë, e tërë rruga përpara është dhe duhet të mbetet qëllimi dhe veprimi në anëtarësim në NATO. Duke pasur NATO-n që na mbron, Kosova duhet dhe mund të bëjë hapa seriozë drejt anëtarësimit”.
“Normalisht, këtë interes kombëtar së pari duhet kuptuar thelbësisht dhe, së dyti, duhet bashkëvepruar me partnerët kryesorë. Mundësitë që ka Kosova për të përmbyllur sigurinë e vet kombëtare janë mundësi unike. Sa më shumë gabime taktike aq më shumë huqje strategjike. Dhe, kjo pastaj kthehet në situatë të pafalshme.
“Kosova nuk frikësohet nga dhëmbët e Vuçiqit. Në të njëjtën kohë, veprimet e Kosovës duhet të jenë në bazë të planifikimeve afatgjata dhe të mos ndikohen në asnjë rast nga panikat vendimmarrëse të caktuara”.