Rama: Vetëvendosje e PDK në koordinim për t’i ndaluar projektet zhvillimore

Rama: Vetëvendosje e PDK në koordinim për t’i ndaluar projektet zhvillimore

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar përmes një postimi pas votimit të sotëm të dy vendimeve në Asamblenë e kryeqytetit, e që sipas tij kanë pasoja të mëdha për qytetarët.

“Sot të gjithë qytetarët e kryeqytetit dhe të Republikës së Kosovës ishin dëshmitarë të veprimeve destruktive të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë. Të bashkuar dhe në koordinim të plotë, Vetëvendosje dhe PDK sot propozuan dhe votuan dy vendime që kanë pasoja të mëdha për kryeqytetin dhe të gjithë qytetarët: 1.Shkarkuan aksionarët e NPL “Stacioni i Autobusëve”, për t’i ndërprerë projektet zhvillimore në atë zonë; 2.       Ndryshuan Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave për me rikthy problemin e mbeturinave”, ka shkruar Rama në Facebook.

Sipas Ramës, për Vetëvendosjen zhvillimi i zonës përreth Stacionit të Autobusëve dhe ndërtimi i Unazës së Kryeqytetit dhe Fshatit Olimpik pa asnjë euro kosto nga buxheti i kryeqytetit janë projekte që duhet ndalur. Ndërkaq, sa i përket ndryshimit të rregullores për menaxhimin e mbeturinave, Rama ka rikujtuar qytetarët se në çfarë gjendje të rëndë ishte kryeqyteti derisa shërbimet publike menaxhoheshin nga PDK.

“Pas ndryshimeve në menaxhment dhe kontraktimit të operatorit privat për të ndihmuar kompaninë ‘Pastrimi’, situata është përmirësuar dukshëm. E sot, Vetëvendosje dhe PDK votuan për të rikthyer situatën në atë gjendje të mjerueshme sikur ishte gjatë vitit 2022 dhe pjesës më të madhe të 2023”, tha tutje Rama, raporton rtk.

Share This