Rama: Synojmë mbylljen e negociatave deri në 2027. Kallas: S’ka rrugë të shkurtër drejt BE veç reformave

Rama: Synojmë mbylljen e negociatave deri në 2027. Kallas: S’ka rrugë të shkurtër drejt BE veç reformave

Kryeministri Edi Rama theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE-së janë në nivelin më të lartë dhe pa asnjë çështje të hapur.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, Rama tha se politika e jashtme e Shqipërisë është 100 % e linjëzuar me atë të BE-së.

Në fokus të bisedimeve ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe kalendari ambicioz për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027. Rama theksoi se ky është një objektiv strategjik që kërkon angazhim të përbashkët dhe stabilitet në të gjithë rajonin.

“Kemi pasur një takim shumë pozitiv, mes nesh dhe BE nuk ka asnjë problem apo çështje të hapur, përkundrazi kemi një linjëzim të plotë në të gjitha aspektet, gjë që shprehet më së miri dhe në politikën e jashtme të Shqipërisë që është 100 % e linjëzuar me atë të BE-së. Kemi folur për sfidën e madhe të procesit të anëtarësimit në BE, për kalendarin shumë ambicioz për mbylljen e negociatave brenda 2027. Kemi folur edhe për rajonin dhe për problematikat në rajon në një moment kur ne e kemi të domosdoshme unitetin dhe stabilitetin e të gjithë rajonit, ku fatmirësisht të gjitha vendet kanë synim anëtarësimin në BE. Ky destinacion është një pikë referimi jashtëzakonisht e dobishme për të kuptuar politikën e ditës dhe hapat që duhet të hedhim të gjithë së bashku ku i gjithë ky rajon të bëhet pjesë e familjes së BE-së”, tha Rama.

Një tjetër temë e rëndësishme e takimit ishte bashkëpunimi në fushën e sigurisë. Kryeministri nënvizoi se siguria është bërë një nga prioritetet kryesore të politikës europiane dhe Shqipëria është një partner aktiv në këtë drejtim.

“Kemi prekur edhe çështjen e bashkëpunimit strategjik në fushën e sigurisë. Siguria është një term gjithnjë e më qendrore në politikën e BE dhe në një anketë të bërë në BE rezulton se nga 1983 mbështetja e BE nga popujt që e përbëjnë është më e larta ndonjëherë gjë që nuk ndodhte deri pak kohë më parë. Popujt e Europës sot më shumë e ndjejnë që lufta nuk është një film i së shkuarës por është një kërcënim reale ndaj të cilit Europa duhet të forcohet dhe padiskutim që pjesë e këtij angazhimi është edhe Shqipëria në përmasën e vet. Partneriteti për sigurinë dhe mbrojtjen mes BE dhe Shqipërisë është në hap që pasohet nga të tjerë dhe praktikisht dialogu për këtë partneritet do të jetë një konstante e vazhdueshme të marrëdhënies sonë me BE para anëtarësimit dhe pas saj”, tha kryeministri.

Edhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, vlerësoi rolin e Shqipërisë si një partner i fortë dhe i besueshëm i Bashkimit Europian, veçanërisht në përputhjen me politikën e jashtme të unionit.

Ajo theksoi se Shqipëria ka një axhendë ambicioze për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027, por theksoi se rruga drejt BE-së kërkon reforma të thella dhe të qëndrueshme, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.

“Shqipëria është një partner i fortë i BE. Vendimi juaj për të zbatuar plotësisht sanksionet e BE kundër Rusisë, së bashku me mbështetjen humanitare që i keni dhënë Ukrainës, tregon përkushtimin tuaj për vlerat e BE. Ju jeni të vlefshëm dhe të dobishëm edhe sa i përket bashkëpunimit në rajon. BE është i angazhuar sa i përket Shqipërisë dhe bashkëpunimi ynë sjellë të mira për të dyja palët tona. Ne jemi të angazhuar për të fuqizuar marrëdhënien më tej me Shqipërinë. Sot do të lançojmë edhe dialogun e parë BE-Shqipëri për sigurinë dhe mbrojtjen. Ne kemi dëshirë ta zgjerojmë bashkëpunimin në fusha të reja sa i përket  sigurisë kibernetike. BE ka ofruar rreth 13 mln euro në financime për të përmirësuar përgatitjen e Forcave të Armatosura  në Shqipëri. Shqipëria ka një axhendë ambicioze për të përfunduar  negociatat me BE në dy vitet ardhshme. Nuk ka një rrugë të shkurtër për të arritur anëtarësimin në BE, përveç performancës së duhur në reforma dhe reformat janë të vështira kështu që ju keni mbështetjen tonë të plotë sa i përket çeljes së grup-kapitujve të tjerë dhe përmbushjes së standardeve krahësimore, veçanërisht në sundimin e ligjit. E ardhmja e Shqipërisë është në BE dhe unë. E rëndësishme është që në lidhje me Kosovën dhe Serbinë nuk mund të ketë ecuri pa normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve”, tha Kallas.

Në përfundim të takimit, në ambientet e Kryeministrisë u firmos edhe marrëveshja për financimin e projektit strategjik të hekurudhës Durrës-Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII. Ky projekt pritet të forcojë rolin e Shqipërisë si nyje kyçe lidhëse në rrjetin europian të transportit. /rtsh/

Share This