
Rama: Procedura për mbylljen e TikTok-ut ka përfunduar për telefonat smart
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, procedura për mbylljen e TikTok-ut ka përfunduar për telefonat smart.
Në rubrikën “Sy m’ sy”, ku i përgjigjet live pyetjeve të adresuara në platformat sociale, Rama u shpreh se, “të gjithë duhet ta dinë se mënyra për t’iu shmangur bllokimit duke përdorur të ashtuquajturat VPN falas është shumë e rrezikshme, pasi dihet botërisht se përmes VPN-ve falas hakerat bëjnë namin në grabitjen e të dhënave të telefonit”.
“Kijeni parasysh këtë gjë dhe duroni pa TikTok ca kohë deri kur të përfundojmë edhe programin e përbashkët me kompaninë TikTok, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri dhe do të paraqesë planin e rritjes së sigurisë për fëmijët dhe adoleshentët, në mënyrë që të gjithë të jemi të lumtur, edhe kompania, edhe prindërit, edhe fëmijët, edhe mësuesit, edhe ne”, tha Rama, raporton rtsh.