
Rama për vendimin e Gjykatës Komerciale: Prona publike po kthehet te qytetarët
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas aktvendimit të Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale të Kosovës, e cila ka aprovuar ankesën e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), ka prishur aktgjykimin e shkallës së parë dhe e ka kthyer lëndën në rivendosje.
Rama e ka cilësuar këtë vendim si fitore për interesin publik dhe për qytetarët e Kryeqytetit, duke theksuar se prona publike po kthehet në shërbim të qytetarëve.
“Asnjë kompromis me interesin publik. Sot gjykata na dha të drejtë dhe prona publike u kthye te qytetarët e Kryeqytetit”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, vendimi i Dhomës së Shkallës së Dytë përbën konfirmim të drejtësisë dhe të angazhimit institucional të Komunës së Prishtinës për mbrojtjen e pronës publike. Rama ka theksuar se për katër vjet Komuna ka ndjekur një rrugë ligjore dhe të drejtë, gjithmonë në interes të qytetarëve.
Ai ka shtuar se Komuna e Prishtinës, përmes përfaqësimit institucional në NPB dhe Zyrës Ligjore të Komunës, ka insistuar vazhdimisht se kontrata mes NPB-së dhe investitorit privat ka qenë e paligjshme dhe e dëmshme për interesin publik.
“Sot, këtë vlerësim e konfirmon edhe Gjykata Komerciale”, ka deklaruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka bërë të ditur se Komuna ka ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë dhe proceduralë, duke mbështetur padinë për prishjen e kontratës, ndërsa Zyra Ligjore ka kërkuar që Komuna të jetë palë e interesuar në proces.
Aktvendimi i Gjykatës Komerciale të Kosovës, Dhoma e Shkallës së Dytë, ka konstatuar se ankesa e NPB-së është e bazuar, ka prishur aktgjykimin e shkallës së parë dhe ka kthyer lëndën në rivendosje në Gjykatën Komerciale – Dhomat e Shkallës së Parë.


