Rama në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre-Dame: Kontribut modest edhe i Shqipërisë
Katedralja Notre-Dame në Paris u rihap të shtunën, pas një zjarri shkatërrues që solli pranë shembjes ndërtesën 860-vjeçare, pesë vjet më parë.
Këmbanat e katedrales ranë dhe Kryepeshkopi i Parisit, Laurent Ulrich, goditi dyert e Notre-Dame tre herë me trokistin e tij, përpara se të rihapte në mënyrë simbolike ndërtesën, teksa filloi ceremonia.
Në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama.
Rama përcolli pamje nga ceremonia, teksa risolli në vëmendje se edhe Shqipëria u solidarizua me donatorë të shumtë nga e gjithë bota për rindërtimin e saj.
“Sonte në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre-Dame de Paris, ku edhe Shqipëria ka kontribuar modestisht për rindërtimin pas zjarrit të pesë viteve më parë”, u shpreh Rama.
Në ceremoninë e hapjes këtë të shtunë në Paris ishin edhe presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, si dhe shumë liderë evropianë dhe afrikanë.
Pesë vjet më parë, mbrëmjen e 15 prillit 2019, parisienët e tronditur nxituan në vendngjarje dhe shikuesit e televizionit në mbarë botën panë të tmerruar teksa zjarri shpërtheu nëpër katedrale, maja ra dhe çatia u shemb.
Notre-Dame është restauruar në mënyrë të përpiktë, me një majë të re dhe një hark me brinjë, mbështetëset e saj fluturuese dhe ulluqet e gdhendura prej guri i janë kthyer lavdisë së tyre të kaluar dhe dekorimet prej guri të bardhë dhe ari shkëlqejnë përsëri. /atsh/