Rama në Athinë, premton pagë mesatare 1 mijë euro në mandatin e katërt

Rama në Athinë, premton pagë mesatare 1 mijë euro në mandatin e katërt

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në takimin me shqiptarët e Athinës, deklaroi se “pagën mesatare 1000 euro në sektorin publik e shikojmë me optimizëm në mandatin e katërt”.

“Kur ne morëm detyrën, bankat ishin zhytur në kredi të këqija. Ishte një dritë e kuqe që paralajmëronte një rrezik të madh, që shqiptarët e Greqisë e kanë përjetuar në lëkurën e vet, ku piramidat u kthyen në gropa dhe ku u varros një pjesë e madhe e pasurisë së tyre. Sot kreditë e këqija janë nën 5 përqind, njësoj si vendet e tjera dhe Shqipëria nuk ka asnjë rrezik. Kur ne morëm detyrën, të ardhurat për frymë ishin 3200 euro, sot janë mbi 10 mijë euro dhe në Shqipërinë 2030 do të jenë 15 mijë euro. Paga mesatare ishte 370 euro, në sektorin publik, ku njerëzit punësohen për t’u shërbyer të tjerëve, sot me vitin 2024, të mbyllur me pagën mesatare në sektorin publik 1 mijë euro e shikojmë me optimizëm mandatin e katërt”, tha Rama, shkruan A2.

“Ky është lajmi për të gjithë ju dhe ata që kanë filluar ta shohin Shqipërinë si vendin ku mund të kthehen, por ende ngurrojnë për shkak se janë të pasigurtë nëse do të gjejnë aty të paktën atë që kanë këtu, ndërkohë që them se kush ka kurajon të kthehet sot, do të gjejë aty mundësinë që nesër do të ketë më shumë se këtu (Greqi). Paga mesatare asokohe ishte 320 euro, sot paga mesatare e përgjithshme midis shtetit dhe privatit është 830 euro dhe në mandatin e katërt do ta çojmë 1 mijë euro”, shtoi Rama.

Share This