Rama ndan pamje nga plazhi i “Pasqyrave”, i mbushur me turistë
Plazhi “Pasqyrat”, midis Sarandës dhe Ksamilit, i renditur si plazhi me ujin me të kaltër në botë vijon të mahnisë me bukurinë e tij pushuesit vendas e të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale plazhin e “Pasqyrave” të mbushur plot me pushues.
Plazhi “Pasqyrat” e ka marrë këtë emër, nga iluzioni që krijohet duke parë reflektimin e diellit mbi ujin e pastër të detit, duke i dhënë atij një efekt magjik, njësoj si të ishte një pasqyrë.
Ai ka një peizazh të mrekullueshëm, i formuar si një gji i izoluar nga formacione shkëmbore të rrethuara me gjelbërim. Bregu është me guralecë të bardhë, ujin bruz të pastër.
Plazhi i Pasqyrave është vendi ideal për të shijuar qetësinë dhe detin në relaks të plotë.
Çdo sezon vere ky plazh mbetet një ndër më të frekuentuarit, nga turistë vendas e të huaj.
“National Geographic” e ka renditur plazhin e “Pasqyrave” ndër gjashtë plazhet më të mira sekrete të Evropës për të vizituar në verën e vitit 2024. /atsh/