
Rama me Starmer: Koha të zgjidhet çështja e identitetit të dyfishtë për shqiptarët në Britani
Beteja kundër emigracionit të paligjshëm e rrjeteve kriminale që e stimulojnë atë, si dhe lufta në Ukrainë, kanë qenë dy temat në të cilën është fokusuar biseda në takimin mes kryeministrit britanik Keir Starmer dhe kryeministrit Edi Rama.
Në fjalën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp me Starmer, kreu i qeverisë shqiptare bëri me dije se progresi që kanë bërë dy vendet në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, është i jashtëzakonshëm.
Ai theksoi se nga momenti kur është shtyrë para për ngritjen e Task Forcës së përbashkët, numri i shqiptarëve që kanë hyrë në Britani paligjshmërisht ka arritur në 12 mijë në vitin 2022, nga disa qindra që ishte më parë.
“Çështja e Ukrainës si dy vende që ndajnë anëtarësinë në NATO dhe në çështjen e betejës kundër emigracionit të paligjshëm dhe rrjeteve kriminale që e stimulojnë atë.
Besoj që në këtë të dytën kemi bërë progres të jashtëzakonshëm, ndërkohë që përsa I përket të parës, marr parasysh dhe situate në përgjithësi gjeopolitik e trazuar, kemi thelluar bashkëpunimin dhe po punojmë për të krijuar më shumë sinergji në fushën e sigurisë e mbrojtjes.
Në angazhimin kundër rrjeteve kriminale, kemi arsye të jemi shumë krenar për punën që kemi bërë. Shifrat janë mbresëlënëse.
Referimi në shifrat e këtij bashkëpunimi është gjëja e duhur për publikun britanik dhe jo kultivimi I miteve.
Në 2024 numri I shqiptarëve që kanë hyrë apo tentuar të hyjnë paligjshmërisht në Britani është disa qindra. Në momentin kur kemi shtyrë përpara për të ngritur task forcën e përbashkët arriti në 12 mijë në 2022 kur pati një fluks të madh.
Nga ana tjetër, dua të theksoj dhe një shifër që na bën përshtypje, kur thuhet se 1 në 50 shqiptarë është në burg në Britani. Gënjeshtër e madhe. Në të vërtetë shifra është 1 në 500”, deklaroi Rama, ndërsa nuk fshehu krenarinë për punën e policisë shqiptare dhe forcave të sigurisë.
Kryeministri Rama theksoi ndërkaq se ka ardhur momenti për të shqyrtuar një tjetër problem që lidhet me shqiptarët që janë kontribues në ekonominë e jetën shoqërore në Britani prej më shumë se 20 vitesh, të cilët posedojnë edhe identitetin shqiptar edhe atë të Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas Ramës, këta shqiptarë në kohën e mbërritjes në Britani, kanë përdorur identitet të shtetit të Kosovës, për të pasur praninë në Mbretërinë e Bashkuar, si refugjatë lufte.
“Është koha për të shqyrtuar një problem në Britani me shumë shqiptarë që kanë arritur e sistemuar në Britani, por në kohën e mbërritjes kanë përdorur identitet të Kosovës për të pasur praninë si refugjatë lufte.
Ata sot jetojnë me dy identitete, një identitet për shtetin britanik dhe një identitet këtu në Shqipëri dhe kanë problem të vazhdueshme.
Janë kontribuues në ekonominë e jetën shoqërore të Britanisë me shumë dinjitet. Janë 50 mijë shqiptarë me pasaporta britanike dhe 50 mijë të tjerë me pasaporta shqiptare që kontribuojnë në shtetin britanik. Është e papranueshme për ne që shqiptarët të vazhdojnë të stigmatizohen sikur janë problem i Britanisë së Madhe”, theksoi Rama.