Rama: “Kapedani” i restauruar, xhevahir i artit shqiptar për të gjithë brezat
Filmi ikonë “Kapedani” i është nënshtruar restaurimit në 4K, duke bërë që ky xhevahir i artit shqiptar të jetë i paprekshëm për të gjithë brezat.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pjesëza të shkëputura nga ky film, i cili mbetet një nga prodhimet më të mira të Kinostudios “Shqipëria e re”.
Restaurimi digjital i filmit “Kapedani” u bë i mundur falë projektit “Sezoni i Filmave Klasikë”, një nismë e ACE- Association des Cinematheques Europeennes, me mbështetjen e Programit Creative Europe – MEDIA.
“Kapedani” është restauruar nga Dabimus srl – një spin-off i Universitetit të Barit “Aldo Moro”, nga elementët origjinalë negativë 35 mm të skanuar në 4K nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.
“Kapedani” paraqitet shumë ndryshe nga filmat e tjerë të kohës të mbushur me kufizime të ngurta stilistike dhe tematike. Në fakt, filmi hapet me një sekuencë në të cilën Sulo krenar imagjinon të përballet me armiqtë e Shqipërisë, që nga turqit osmanë deri te nazistët, të përzierë në të njëjtën fushëbeteje.
Imagjinata dhe komedia nuk ishin lëndë e artit socialist dhe ky film inovativ konsiderohet si kulmi tragjik i një liberalizmi befasues para se qeveria komuniste e kohës të vinte kufizime të forta mbi lirinë artistike. /ATSH/