Rafuna priti në takim delegacionin nga Bavaria, biseduan për investime
Ktyetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna priti në takim një delegacion të rëndësishëm bavarez të udhëhequr nga përfaqësuesit e Ambasadës Gjermane në Kosovë. Diskutimet gjatë takimit u fokusuan në mundësitë e investimeve gjermane në Kosovë si dhe bashkëpunimin e ngushtë në projekte konkrete.
Përmes një njoftimi për medie bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimin e projekteve të mësimit dual, duke shprehur mbështetje për këtë model që kombinon arsimin teorik me përvojën praktike, për të krijuar mundësi të reja për të rinjtë kosovarë dhe duke përmirësuar kualifikimet e tyre profesionale, raporton rtk.
“Kryetari Rafuna njoftoi delegacionin për klimën e mirë të të bërit biznes në Kosovë dhe mundësitë e shumta që ekzistojnë për bashkëpunim ndërmjet kompanive nga të dyja vendet, duke kontribuar drejtpërdrejt në forcimin e lidhjeve ekonomike si dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Oda Ekonomike e Kosovës mbetet e përkushtuar për të ofruar mbështetje dhe për të lehtësuar bashkëpunimin ndërmjet komunitetit të biznesit kosovar dhe atij gjerman, duke synuar krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime dhe zhvillim ekonomik”, thuhet në njoftim.