Ra Liverpool, Man United në gjysmëfinalen e FA Cup
Manchester United e ka fituar derbin e rivalëve të urryer, duke eliminuar Liverpoolin dhe siguruar ‘biletën’ për në gjysmëfinalen e FA Cupit.
“Djajtë e Kuq” bën një rikthim në vazhdime për të fituar me rezultat 4:3 në mënyrë që ta sigurojnë avancimin tutje.
Man Utd ishte më e rrezikshme në fillim dhe me plot meritë kaloi në epërsi përmes Scott McTominay, që realizoi pas 10 minutave lojë.
Liverpool tentoi të këndellej duke e barazuar përmes Endos, mirëpo VAR-i e anuloi për pozitë jashtë loje.
Sidoqoftë, kur askush s’e priste Liverpool realizoi dy herë brenda tre minutave për ta përmbysur rezultatin. Fillimisht, Mac Allister përfitoi nga asistimi i Nunezit për 1:1 (44’).
Ndërsa, tre minuta më vonë Mo Salah e tundi rrjetën e Onanas për ta vënë Liverpoolin në epërsi (45+2’).
Në pjesën e dytë, Liverpool ishte më kërkuese duke provuar me Nunez disa herë, mirëpo uruguaiani si shpesh herë dështoi t’i finalizonte rastet e shumta.
Kur mendohej se Liverpool do të kualifikohej, në skenë doli i shumë kritikuari Antony që me një gol të bukur e barazoi rezultatin (86’).
United kishte rastin e artë që t’i jepte fund kësaj loje në kohën e rregullt, por Rashford e shpërdoroi një asistim të mrekullueshëm të Eriksenit (90+3’).
Liverpool sërish u tregua më e mirë në kohën shtesë, duke kaluar prapë në epërsi – këtë herë përmes Harvey Elliott që u asistua nga Bradley (105’).
Sidoqoftë, ishte Rashford që realizoi një gol të bukur për ta barazuar prapë rezultatin (112’), shkruan nacionale.
Ndërsa, krejt në fund, i inkuadruari Diallo u asistua nga Garnacho për ta eliminuar Liverpoolin nga FA Cup (120+1’).