
Qytetarët e Shqipërisë sot do t’i drejtohen kutive të votimit
Qytetarët e Shqipërisë sot do t’i drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur qeverinë që do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme.
Sot më 11 maj, mbi 3.7 milionë shqiptarë të regjistruar me të drejtë vote do tu drejtohen rreth 5 mijë qendrave të votimit, për të vendosur për Kuvendin e ri dhe qeverisjen e ardhshme të Shqipërisë.
E në këto zgjedhje për herë të parë voton edhe diaspora me rreth 245 mijë emigrantë të regjistruar.
Në garë janë 11 subjekte apo koalicione politike që garojnë me 2 mijë e 46 kandidatë për 140 vende në Kuvendin e Shqipërisë, raporton RTKlive.
Beteja më e fortë në këto zgjedhje është mes dy forcave më të mëdha politike, Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama dhe Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha.
Për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, KQZ, SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë ngritur një Task-Forcë të përbashkët për të garantuar një proces të qetë zgjedhor.
Gjithashtu, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash dhe ka trajnuar pjesëtarë të policisë e specialistë për hetimin e krimeve zgjedhore dhe ruajtjen e objekteve zgjedhore.
Për këto zgjedhje është miratuar një sistem i ri zgjedhor, që përfshin një kombinim të listave të mbyllura dhe të hapura.
Në Shqipëri janë 12 zona zgjedhore dhe numri i mandateve të deputetëve për çdo zonë varion nga 3 mandate për Qarkun e Kukësit dhe deri në numrin më të madh të mandateve, në 37 për Qarkun e Tiranës.
Në rang vendi, çdo subjekt zgjedhor ka kandiduar 46 emra në listën e mbyllur dhe 140 të tjerë për listën e hapur. Ata janë të shpërndarë sipas qarqeve në varësi të mandateve.