Qeveria organizon takim mes bizneseve dhe furnizuesve të energjisë

Qeveria organizon takim mes bizneseve dhe furnizuesve të energjisë

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se me kërkesë të saj, Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime mbajti takimin e radhës me bizneset që do të hyjnë në tregun e hapur të energjisë elektrike dhe furnizuesit e licencuar në vend.

Në takim morën pjesë ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, drejtori i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), Ymer Fejzullahu, si dhe përfaqësues të odave ekonomike. Në njoftim bëhet e ditur se pesë kompani me licencë për furnizim me energji elektrike deklaruan gatishmërinë dhe aktivitetin e tyre për të ofruar oferta për bizneset në Kosovë.

“Sipas njoftimeve të tyre, disa prej furnizuesve tashmë kanë nisur ofrimin e kontratave për biznese individuale dhe grupe të organizuara biznesesh, ndërsa një kompani ka nënshkruar kontrata të tilla. Kompanitë kryesisht do të ofrojnë kontrata komerciale me çmime variabël, bazuar në kostot e tregut plus një marzhë fitimi, por tre prej tyre janë të gatshme të ofrojnë edhe kontrata me çmim fiks”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë, raporton rtk.

Furnizuesit theksuan se bizneset që organizohen në grupe për negociata mund të përfitojnë çmime më të favorshme, duke përfshirë furnizimin nga bursat e energjisë si ALPEX dhe HUPX.

“Ministrja në detyrë, Artane Rizvanolli, bëri thirrje që bizneset që do të hyjnë në fazën e dytë të liberalizimit të tregut të organizohen sa më parë për të arritur oferta sa më të mira. Ajo po ashtu kërkoi nga ZRrE që të lehtësojë procesin e informimit për bizneset dhe furnizuesit me të dhëna të nevojshme dhe në kohë”, theksohet në komunikatë.

Share This