
Putin shpall armëpushim tre-ditor në Ukrainë nga 8 maji
Presidenti rus Vladimir Putin ka shpallur një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë, i cili do të zgjasë nga mëngjesi i 8 majit deri më 11 maj. Kjo masë është shpallur nga Kremlini, duke u bazuar në “konsiderata humanitare” për shënimin e 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Në një deklaratë të lëshuar nga Kremlini, thuhet se Rusia pret që Ukraina të ndjekë këtë shembull dhe të respektojë armëpushimin. Për më tepër, deklarata thekson se, në rast të shkeljes së armëpushimit nga pala ukrainase, Forcat e Armatosura të Federatës Ruse do të përgjigjen me një “përgjigje adekuate dhe efektive”.
Deri tani, Ukraina nuk ka dhënë një përgjigje për shpalljen e armëpushimit.
“Rusia beson se pala ukrainase duhet të ndjekë këtë shembull. Në rast të shkeljes së armëpushimit nga pala ukrainase, Forcat e Armatosura të Federatës Ruse do të japin një përgjigje adekuate dhe efektive.
Pala ruse deklaron edhe një herë gatishmërinë e saj për bisedime paqeje pa parakushte, që synojnë eliminimin e shkaqeve rrënjësore të krizës ukrainase dhe ndërveprimin konstruktiv me partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në deklaratën e Kremlinit.
Prej javësh, SHBA po përpiqet të zhvillojë bisedimet e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës. Administrata Trump ka paralajmëruar se mund të tërhiqet nga përpjekjet e ndërmjetësimit nëse nuk ka përparim të dukshëm nga palët.
Konflikti ka nisur me pushtimin rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022, dhe aktualisht Rusia kontrollon rreth 20% të territorit të Ukrainës, përfshirë gadishullin e Krimesë që u aneksua në vitin 2014. /rtsh/