Publikohet klauzola në kontratën e Xabi Alonsos, sërish shpresë për Liverpool dhe Bayern Munich?
Elozhet për Bayer Leverkusen dhe Xabi Alonson në këtë sezon nuk kanë fund.
Trajneri spanjoll po i udhëheq “Aspirinat” drejt një sezoni magjepsës dhe që mund të shkruhet me gërma të arta në historinë e gjermanëve.
Leverkusen është më pranë se kurrë titullit të parë historik në Bundesliga, ndërsa skuadra garon edhe në dy fronte të tjera, Kupën e Gjermanisë (në finale ndaj Kaiserslautern) dhe në Europa League në faën çerekfinale. Të gjitha këto arritje, e kanë shndërruar Xabi Alonson në prej trajnerëve më të preferuar të klubeve gjigande të “Kontinentit të Vjetër”.
Edhe pse spanjolli disa ditë më parë deklaroi se do të qëndrojë te Leverkusen edhe në sezonin e ardhshëm, një klauzolë e publikuar së fundmi nga “Sunday Mirror”, duket se ristarton nga e para telenovelën për 42-vjeçarin. Sipas medias britanike, Xabi Alonso ka një klauzolë e cila e lejon të largohet para përfundimit të kontratës në vitin 2026, nëse në arkat e klubit gjerman derdhen 15 milionë euro.
Një shifër të cilën Bayern Munich dhe Liverpool mund ta përballojnë pa problem për të përfituar një menaxher si Alonso.
Ky i fundit ka një të kaluar si lojtar te Bayern dhe Liverpool, duke u bërë kështu edhe më i preferuar për dy klubet e sipërpërmendura.
Megjithatë, mbetet për t’u parë pasi edhe vetë dëshira e Alonsos është për t’u marrë në konsideratë dhe të paktën për momentin, ai ka zgjedhur Leverkusenin.