PSG-Inter, një motivim më shumë për Luis Enrique, premtimi për vajzën e tij, Xana

PSG-Inter, një motivim më shumë për Luis Enrique, premtimi për vajzën e tij, Xana

Imazhi i gdhendur në kokën e Luis Enrique për triumfin e tij me Barcelonën në Ligën e Kampionëve në vitin 2015 në Berlin kundër Juventusit është ai i vajzës së tij në fushë gjatë festimeve.

Xana kishte në dorë flamurin e klubit, e tundi dhe më pas e vendosi në fushën e Olympiastadion. Pak muaj më parë, trajneri aktual i PSG-së deklaroi se ëndrra e tij do të ishte të përsëriste të njëjtën skenë me parisienët, një ëndërr e pamundur megjithatë, pasi vajza e tij e dashur u nda nga jeta para kohe në vitin 2019 në moshën 9-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.

Finalja e Ligës së Kampionëve më 31 maj në Mynih ka një vlerë të shtuar për trajnerin e PSG-së, Luis Enrique, i cili prandaj dëshiron të mbajë premtimin e bërë në të kaluarën.

Spanjolli do të rikthehet në aktin final të kompeticionit më të lartë europian pikërisht 10 vjet pas herës së fundit që ngriti kupën me veshë të mëdhenj në qiellin e Berlinit me Barcelonën, duke mposhtur 3-1 Juventusin e trajnerit Massimiliano Allegri.

Shumëçka ka ndryshuar në nivel familjar për Luis Enrique nga ai moment i mrekullueshëm e deri më sot, në fakt me atë rast ai solli në fushë edhe vajzën e tij më të vogël, Xana, e cila në vitin 2015 ishte vetëm 6 vjeçe për të festuar me të. Të gjithë i mbajnë mend pamjet e vogëlushes në fushë me të atin, me flamurin e Barçës dhe Katalonjës.

Xana ndërroi jetë më pas në moshën 9-vjeçare, në vitin 2019, pasi u diagnostikua me osteosarcoma, një kancer i rrallë dhe shumë agresiv i kockave.

Së fundmi, “Lucho” ka treguar se sa shumë ndihet i afërt shpirtërisht me vajzën e tij pavarësisht se ajo nuk është më e pranishme fizikisht: “Për mua ajo nuk ka vdekur por është gjithmonë me ne. Shpirtërisht është. Çdo ditë flasim për të dhe mendoj se Xana ende po na shikon nga diku”.

Pak ditë pas PSG-Manchester City 4-2, në konferencën për shtyp për ndeshjen me Lens, Luis Enrique shprehu një dëshirë: “Më kujtohet një foto e pabesueshme në finalen e Champions League në Berlin, ku Xana vendos flamurin e Barcelonës. Do të doja të bëja të njëjtën gjë me PSG. Vajza ime nuk do të jetë fizikisht atje, por do të jetë shpirtërisht”.

Trajneri ka mundësinë t’i bëjë të gjitha realitet, ndeshja e radhës është kundër Interit, ku mund të bëhet kampion evropian për klube për herë të dytë si trajner dhe të rijetojë edhe një herë atë imazh të gdhendur në mendjen e tij.

Share This