PSG ëndërron “tripletën”, Luis Enrique: Është një objektiv
Paris Saint-Germain mund të fitojë titullin e parë të sezonit nesër. Skuadra e Luis Enrique do të jetë e impenjuar në fushën e Lorientit në rikuperimin e ndeshjes së javës së 29-të të kampionatit.
Një sukses në Moustoir mund t’i japë klubit kryeqytetas titullin e 12-të francez në historinë e tyre nëse Monaco nuk arrin të fitojë kundër Lille.
PSG, e kualifikuar në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve dhe në finalen e Kupës së Francës, është katër ndeshje larg një suksesi legjendar dhe Luis Enrique e kuptoi se të gjithë kanë ambicie të mos lënë t’i ikë asnjë trofe:
“Tripleta, a është një objektiv? Pa dyshim që është një motiv për të arritur atë që nuk është bërë kurrë më parë në Francë, mbi të gjitha për të shënuar historinë e klubit tonë, të tifozëve, të qytetit dhe të vendit”, siguroi trajneri spanjoll.
“Për momentin ne kemi fituar vetëm një titull (Superkupën). Pastaj duhet të fitojmë kampionatin, të vazhdojmë të luftojmë në Ligue 1 sepse kundërshtarët tanë meritojnë të përballen me një ekip që është në nivel, që jep gjithçka. Pastaj ne do të kemi finalen e Kupës së Francës kundër Lionit (25 maj), e dimë mirë se rruga është ende e gjatë dhe e vështirë”.