PSG-Borussia Dortmund, Enrique vjen me deklarate interesante
“Kur një klub është i fiksuar pas fitores finale në Champions League, nuk është kurrë një shenjë e mirë”.
Kjo është thënë nga trajneri i Paris SG, Luis Enrique në prag të debutimit të ekipit të tij në kompeticionin më të lartë evropian kundër Borussia Dortmundit.
“Kur një ekip, një klub është i fiksuar pas diçkaje, nuk është kurrë një shenjë e mirë, duhet të kesh shpresa, ambicie, por një obsesion nuk funksionon kurrë, në asnjë fushë të jetës”, thotë Luis Enrique duke folur në konferencën për shtyp.
“Duhet të shohim se si fillon kompeticioni, si klub jemi të bindur dhe të motivuar – shton spanjolli që si trajner fitoi Champions League në 2015 me Barcelonën – dhe shpresojmë të fitojmë të gjitha garat e mundshme”.
Ndërkohë, PSG-ja po vjen nga disfata e rëndë në shtëpi të premten e kaluar ndaj Nice, e cila tashmë ka vënë nën presion si ekipin ashtu edhe trajnerin: “Nuk e kemi nisur shumë mirë sezonin – pranon ‘Lucho’-, por sa herë që unë arrij në një klub është gjithmonë kështu, ka shumë informacione, ide dhe koncepte që lojtarët duhet t’i përvetësojnë dhe unë e shoh si një proces që kërkon kohë. Megjithëse – vazhdon ai – është e vështirë të kërkosh kohë sepse e di si funksionojnë gjërat dhe nëse rezultatet nuk do të jenë të mira, unë do të shkarkohem”.
Por Luis Enrique është gjithashtu i prirur të nënvizojë se, “skuadra është shumë e hapur ndaj indikacioneve, ka vend për përmirësim dhe ka shumë gjëra që skuadra po i bën shumë mirë. PSG nuk dorëzohet kurrë, ndeshjet janë jashtëzakonisht intensive, lojtarët vrapojnë me ose pa top dhe qëndrimi i tyre meriton 10 nga 10”.