Pse po kundërshtohet Haxhiu?

Pse po kundërshtohet Haxhiu?

Albulena Haxhiu po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja. Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja ta ndryshojë emrin për kryeparlamentar dhe madje AAK-ja ka përmendur edhe dy emra – Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi- nga partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të cilat ka thënë se do t’i votonte.

LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.

Por, LVV-ja ka argumentuar se Haxhiu është kandidate meritore dhe ka refuzuar thirrjet për të vendosur dikë tjetër në emër të saj.

Partitë, që legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, e kanë akuzuar LVV-në se po synon që të imponojë votimin e Haxhiut dhe me “qëllim po bllokon procesin”, pasi kanë argumentuar se kjo parti nuk i ka as votat për Qeverinë e re të Kosovë – proces që pason konstituimin e Kuvendit – për formimin e së cilës po ashtu kërkohet shumica e thjeshtë prej 61 votash, shkruan Rel.

Por, LVV-ja ka thënë se nuk po i detyron partitë që ta mbështesin kandidaten e tyre për kryeparlamentare. Kjo parti, ka thënë se nuk është e interesuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por është e gatshme për një cikël të ri zgjedhor, si opsionin e fundit për dalje nga situata e krijuar.

LVV-ja më herët ka propozuar që së bashku me PDK-në dhe LDK-në të pajtohen që të votohen në paketë Haxhiu dhe tre nënkryetarët e Kuvendit – teksa dy nënkryetarë të tjerë i takojnë komuniteteve pakicë.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, LVV-ja i ka fituar 48 ulëse në Kuvend, PDK-ja 24, LDK-ja 20, AAK-Nisma tetë, tri prej të cilave i takojnë kësaj të fundit dhe kjo ndarje e ulëseve në Parlament ia pamundëson secilës parti që të qeverisë e vetme.

Formimin e institucioneve të reja po e kërkon bashkësia ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian që ka thënë se Kosova duhet t’i formojë shpejt institucionet e reja.

Share This