Pse duhet të mbështesim vendimin e Fodës për përjashtimin e tre ‘yjeve’ të Kombëtares së Kosovës

Pse duhet të mbështesim vendimin e Fodës për përjashtimin e tre ‘yjeve’ të Kombëtares së Kosovës

Vendimi i përzgjedhësit Franco Foda për përjashtimin e tre futbollistëve të rëndësishëm të Kombëtares së Kosovës – Edon Zhegrova, Arijanet Muric dhe Florent Muslija, në prag të ndeshjes kundër Qipros – mund të jetë një veprim i guximshëm dhe i diskutueshëm, por pa dyshim i drejtë.

Ndërsa këta lojtarë janë yje të padiskutueshëm në fushë, ata duhet të jenë të vetëdijshëm se disiplina dhe respekti për shtetin të cilin e përfaqësojnë është primar. Kombëtarja nuk është një vend për tallje, defrim apo mosrespektim të rregullave. Përkundrazi, është një institucion që kërkon përkushtim dhe profesionalizëm maksimal.

Futbolli, si sport kombëtar dhe si simbol i identitetit të një shteti, kërkon që lojtarët të jenë jo vetëm të talentuar, por edhe të disiplinuar. Ndonëse Zhegrova, Muric dhe Muslija janë lojtarë të rëndësishëm për ekipin tonë, qëllimi i Fodës nuk është të demoralizojë askënd, por të vendosë një standard të qartë të sjelljes. Të gjithë lojtarët, pa përjashtim, duhet të respektojnë fanellën e Dardanëve, shtetin që përfaqësojnë dhe tifozët që i mbështesin me aq shumë pasion.

Ka zëra që kritikojnë këtë vendim dhe, si gjithmonë, e lidhin atë me punën e kreut të Federatës, Agim Ademi. Por këtu nuk ka të bëjë asgjë me Agim Ademin. Edhe ata që bëjnë kritika e kërkesa nëpër statuse e komente në Facebook për shkarkimin e tij për një ‘skandal’ të tillë të futbollistëve, e dijnë se janë futbollistët ata që duhet ta bartin peshën e përgjegjësisë për gabimet e tyre.

Presidenti i FFK-së nuk votohet nga kombëtarja, as nga lojtarët apo analistët. Ai zgjidhet nga delegatët e klubeve dhe rajoneve, sipas procedurave të qarta demokratike brenda sistemit të futbollit.

Vendimi është i përzgjedhësit dhe ka gjetur mbështetjen e Federatës, pasi ai kërkon të vendosë një standard të disiplinës që do të na çojë drejt rezultateve të qëndrueshme.

Ajo që është më e rëndësishme është pyetja: Pse këta futbollistë e marrin lehtë përfaqësimin e Kosovës? A është e drejtë që ata të vijnë në Kombëtare, por të mos japin 100%? Apo thjesht një makinë luksoze dhe disa para mjaftojnë për t’u konsideruar se kanë arritur kulmin. Kombëtarja e Kosovës nuk është pronë e individëve, as Ademit, e as Zhegrovës, Muricit apo Muslijës. Ajo përfaqëson gjithë kombin dhe duhet të trajtohet me dinjitet dhe respekt.

Nuk mund të pranojmë që futbollistët tanë të vijnë në grumbullime dhe pastaj të sorrollaten në diskotekat e Prishtinës. Kjo është një fyerje për të gjithë ata që punojnë me përkushtim për ta ngritur këtë ekip në nivelin më të lartë. Futbolli kërkon përkushtim dhe Kombëtarja e Kosovës duhet të jetë shembull i profesionalizmit.

Prandaj, vendimi i Franco Fodës për të vepruar është për t’u përshëndetur. Ai ka treguar se fanella e Kosovës është e shenjtë dhe kërkon respekt të plotë. Vetëm kështu, me disiplinë dhe përkushtim, mund të presim që të arrijnë rezultatet që dëshirojmë të gjithë.

Kombëtarja është e të gjithëve dhe vendime të tilla duhet të përkrahen pa ekuivoke.

Share This