Prokuroria Speciale reagon: Rasti i kërcënimit ndaj Presidentes Osmani po trajtohet me prioritet të lartë

Prokuroria Speciale reagon: Rasti i kërcënimit ndaj Presidentes Osmani po trajtohet me prioritet të lartë

Pas kritikave nga Presidenca se Prokuroria Speciale nuk ka caktuar ende një prokuror, i cili do të merrej me rastin e kërcënimit me jetë të presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar organi i akuzës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin e kanosjes se Presidentes se Republikës së Kosovës.

“Për më shumë, pas pranimit të informacionit nga Policia e Kosovës, në lidhje me rastin në fjalë, Prokurori kujdestar nga Prokuroria Speciale, ka autorizuar njësitë kompetente të Policisë se Kosovës për të vepruar menjëherë në drejtim të identifikimit dhe zbulimit të autorit/ve të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria Speciale thotë se “të enjten kur edhe është pranuar raporti policor në lidhje me veprimet fillestare, menjëherë është caktuar prokurori përgjegjës nga Prokuroria Speciale dhe rastin do ta trajtoj me prioritet të lartë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të siguruar zbardhjen e plotë të çështjes dhe ndëshkimin e përgjegjësve të këtyre akteve”.

“Po ashtu, Prokuroria Speciale, siguron opinionin publik se është në koordinim të plotë me organet e sigurisë, për të garantuar mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të përfaqësuesve të lartë të shtetit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Share This