Prokuroria jep detaje për vrasjen e dyfishtë në Stanoc të Vushtrrisë

Prokuroria jep detaje për vrasjen e dyfishtë në Stanoc të Vushtrrisë

Prokuroria në Mitrovicë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se të hënën është kryer një vrasje e dyfishtë në fshatin Stanoc të Vushtrrisë.

Autoritetet kanë thënë se dyshohet që një burrë 58-vjeçar me inicialet A.M., fillimisht ka vrarë një grua 42-vjeçare me inicialet N.H., dhe më pas ka kryer vetëvrasje.

“Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja që dyshohet se janë përdorur në këtë krim. Janë duke u intervistuar dëshmitarë dhe në koordinim me policinë janë duke u hetuar të gjitha rrethanat që kanë quar në këtë ngjarje të rëndë”, ka thënë Prokuroria në një njoftim për publikun.

Policia ka bërë të ditur se me urdhër të prokurorit, dy trupat e pajetë do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Një familjar i të ndjerës, Rrahim Ajeti, ka thënë se viktima në të kaluarën ka punuar së bashku me bashkëshortin e saj në biznesin – furrë buke – e burrit që dyshohet se e ka vrarë.

“Sipas një informate jo fort zyrtare, [shkaktar] është xhelozia pse ka shkuar në tjetër vend për të punuar dhe e ka lënë këtu. Kjo është”, ka thënë Ajeti.

Rasti ka ndodhur disa orë pasi autoritetet kanë bërë të ditur se të dielën në Vushtrri është vrarë një 19-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij.

I dyshuari është kapur pak kohë pas aktit dhe është dërguar në mbajtje, ku thuhet ta ketë pranuar fajësinë.

Motivet e vrasjeve nuk dihen ende, derisa autoritetet kanë thënë se po kryejnë hetime të vazhdueshme. /Rel

Share This