Prishtina mposht Pejën midis ‘Karagaçit’ në derbin e fundjavës
Sigal Prishtina ka triumfuar në derbin ndaj rivalit të vjetër, Pejës me rezultat 88:98 (16:25, 18:25, 25:23, 29:25), në xhiron e 27-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Bardhekaltrit e nisën ndeshjen më mirë dhe që në fillim dhjetë pikë epërsi 4:14, derisa fituan çerekun e parë 16:25. Me lojë të mirë kryeqytetasit vazhduan në periudhën e dytë, për të shkuar në pushim me rezultat 34:50.
Pejanët afruan shifrat në 46:55 në periodën e tretë, por mysafirët u shkëputën në 54:73, derisa rezultati pas 30 minutash ishte 59:73. Përkundër tentimeve nga kampionët, prishtinasit ruajtën epërsinë dhe fituan 88:98.
Kwame Vaughn ishte më i miri te Peja me 22 pikë, tri kërcime dhe katër asistime, derisa te Sigal Prishtina u dalluan Derrick Wilson me 23 pikë, katër kërcime e dhjetë asistime dhe Diamond Stone me 25 pikë, nëntë kërcime e katër asistime.
Peja mbetet e dyta me 18 fitore e nëntë humbje, kurse Sigal Prishtina e katërta me 16 fitore e 11 humbje.