Prishtina e fiton derbin ndaj Pejës dhe shkon në “Final 4” si lidere
Sigal Prishtina Mercure ka triumfuar në derbin kosovar në Ligën Ballkanike, për ta mbyllur sezonin e rregullt si lidere e kësaj gare.
Skuadra e drejtuar nga Albert Sylejmani triumfoi me rezultatin 104:97. Ndeshja u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në kryeqytet.
Vlen të theksohet se kjo ndeshje u vendos vetëm pas vazhdimit të parë prej pesë minutave, pasi që 40 minutat e rregullt nuk dhanë fitues.
Donte Clark me 23 pikë dhe Diamond Stone me 20 sosh, ishin dy basketbollistët më të dalluar në fitoren e prishtinasve.
Te pejanët u dallua Justin Edler-Davis me 29 pikë.
Prishtina e mbyll sezonin e rregullt në pozitën e parë me 14 pikë, me bilanc prej gjashtë fitoreve dhe dy humbjeve.
Ndërsa, Peja përfundon si e treta me 13 pikë dhe me bilanc prej pesë fitoreve dhe tri humbjeve.
Vlen të theksohet se të dy skuadrat kosovare kanë siguruar pjesëmarrjen në “Final 4” të Ligës Ballkanike, që do të mbahet javën e ardhshme në Limassol të Qipros, raporton Express.
Prishtina në gjysmefinale do të takohet me skuadrën malazeze, Lovcen, kurse Peja do të ketë punë me nikoqirët e “Final 4”, AEL-in.