Prishtina bindëse ndaj Ferizajt, Malisheva mposht Llapin
Prishtina ka triumfuar ndaj Ferizajt, derisa Llapi ka pësuar humbje në shtëpi ndaj Malishevës.
“Bardhëkaltërit” ishin fantastik në udhëtim te Ferizaj, duke zhvilluar futboll të bukur për të fituar me rezultat 1:3 në fund.
Sunday Akinbule kaloi Prishtinën në epërsi pas një aksioni të shpejtë (5’).
I njëjti dyfishoi epërsinë, duke përfituar nga super asistimi i talentit Dion Gallapeni (21’).
Ferizaj dha shenja jete, duke ngushtuar epërsinë me anë të Planet Veselit (63’), megjithatë Prishtina nuk lejoi befasi me Ardian Mujën që vulosi fitoren (77’).
Prishtina tani bëhet lider në Superligën e Kosovës me katër pikë, kurse Ferizaj bie në vendin e pestë, me katër sosh gjithashtu.
Në anën tjetër, Llapi ka pësuar humbjen e parë këtë sezon, duke u mposhtur nga Malisheva me rezultat minimal 0:1.
Ndeshja ishte shumë e barabartë nga të dy skuadrat, me mundësi shënimi por që iu mungoi konkretizimi i tyre.
Malisheva në fakt mbeti edhe me një lojtar më pak, pasi Robert Matheiu Ndiji u ndëshkua me karton të kuq.
Sidoqoftë, heroin e bëri Fatjon Bunjaku me një gol të bukur pas asistimit të Arbër Piras (55’).
Malisheva tani mbledh katër pikë, aq sa ka edhe Llapi.