Prishtina ‘arrë’ e fortë për Malishevën, Nikeli ’74 triumfon ndaj Gjilanit
FC Prishtina ka shënuar fitore bindëse në shtëpi ndaj Malishevës (3:1), derisa Feronikeli ’74 mposhti Gjilanin (1:0).
“Bardhëkaltërit” arkëtuan pikët e plota me një ndeshje dominuese ndaj Malishevës, që përfundoi me rezultat 3:1.
Leotrim Kryeziu realizoi nga pika e bardhë pas 11 minutave lojë për t’i dhënë epërsinë vendasve.
Prishtina vazhdoi me këtë dominim, duke dyfishuar rezultatin me anë të Drilon Islamit (37’).
Ndërsa, ishte Hasan Hyseni që vulosi fitoren pas një asistimi të bukur nga Jales Blesa (62’).
E tëra që arriti të bënte Malisheva ishte goli i nderit, realizuar nga Robert Ndijgi pas një gabimi amator të mbrojtjes vendase (69’).
Pas kësaj fitore, Prishtina merr liderin e Superligës së Kosovës me shtatë pikë kurse Malisheva bie në vendin e dytë me gjashtë sosh.
Në anën tjetër, Feronikeli ’74 me shumë mund ka mposhtur Gjilanin (1:0).
Derbi ishte shumë i barabartë nga minuta e parë, me skuadrën nga Drenasi që u tregua më e mirë.
Golin e vetëm në takim, por që ka vlerën e tre pikëve e realizoi Shpresim Zogu pesë minuta pa përfunduar koha e rregullt (85’).
Për Feronikelin ’74 kjo ishte fitorja e parë për këtë sezon, duke u ngritur në vendin e gjashtë me tre pikë, derisa Gjilani është një pozitë më poshtë me një sosh.