
Prindërit e Arbnor Spahiut kërkojnë ndihmë nga ndërkombëtarët për lirimin e djalit të tyre
Prindërit e ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu, kanë dhënë një deklaratë publike për rastin e arrestimit të djalit të tyre nga shteti i Serbisë.
Ata kanë thënë se djali i tyre aktualisht ndodhet në paraburgim në Serbi, mbi bazën e një akuze të padrejtë dhe të pabazë.
“Dëshirojmë të sqarojmë publikisht se Arbnori ka dhënë dorëheqje nga puna më 1 nëntor 2022. dhe që prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me bashkëshorten e tij, duke ndjekur një jetë të qetë dhe të rregullt. Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur një vit më pas, në një kohë kur ai nuk ka qenë pjesë e asnjë institucioni dhe nuk ka pasur asnjë rol që do ta lidhte me atë rast. Çdo përpjekje për ta lidhur emrin e tij me një ngjarje që nuk ka të bëjë me të është jo vetëm e padrejtë, por edhe e dëmshme”, është thënë në këtë deklaratë.
Më tutje, ndërmjet këtij reagimi, ata kanë kërkuar ndihmë nga ana e ndërkombëtarëve.
“Apelojmë tek institucionet ndërkombëtare, organizatat për të drejtat e njeriut dhe tek opinion publik që të mos heshtin përballë kësaj padrejtësie. Secili njeri meriton një proces të drejtë dhe të ndershëm, e kjo nuk po ndodh në rastin e Arbnorit. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësinë e tij me mjete ligjore dhe institucionale, me besimin se e vërteta nuk mund të mohohet”, është thënë në reagimin e prindërve të ish-policit kosovar të Kosovë, i cili para disa ditësh është arrestuar në Serbi.