Prezantohet Gattuso:  Ëndërr që bëhet realitet, synimi është Botërori 2026

Prezantohet Gattuso:  Ëndërr që bëhet realitet, synimi është Botërori 2026

Gennaro Gattuso ka nisur zyrtarisht aventurën e tij në krye të kombëtares italiane, duke marrë drejtimin pas shkarkimit të Luciano Spallettit, si pasojë e rezultateve zhgënjyese.

Ish-mesfushori italian në konferencën e tij të parë për media si trajner i Italisë, u shpreh i emocionuar.

“Nuk mund të them ndryshe, është një ëndërr që bëhet realitet. Shpresoj të jem në lartësinë e detyrës. Objektivi është i qartë: të rikthejmë Italinë në Kupën e Botës, sepse është jetike për futbollin dhe për vendin tonë”, ka thënë Gattuso.

Duke iu referuar ndryshimeve në qasjen e tij ndaj futbollit, Gattuso tha: “Tani e shoh futbollin ndryshe. Me grintë nuk qëndron dot 11 vite në bankinë. Më pëlqen të përditësohem, të flas për futboll. Një lojtar si unë dikur, kaotik taktikisht, sot nuk do ta aktivizoja”.

I pyetur për filozofinë e tij të lojës, Gattuso theksoi rëndësinë e unitetit dhe shpirtit të skuadrës.

“Na duhet entuziazëm dhe ndjenjë familjeje. Duhet ta rikrijojmë frymën që na ka karakterizuar ndër vite. Kam besim të madh se do ia dalim. Kemi futbollistë me cilësi, disa prej tyre janë ndër më të mirët në botë në rolet e tyre”, ka theksuar ai.

Share This