
Prezantohet Gasperini: Dua ta rikthej Romën në majë
Trajneri i ri i AS Romës, Gian Piero Gasperini, është prezantuar të martën tek ‘romakët’ e Italisë.
Ish-trajneri i Atalantës, ka thënë se e ka zgjedhur ekipin kryeqytetas përpara ofertës se Juventusit.
“Fola me Claudio Ranierin, i cili më shpjegoi gjithçka që ka ndodhur këto vite. Familja Friedkin është shumë entuziaste për Romën. Nuk e di nëse dallohet, por ata kalojnë shumë kohë këtu dhe janë ambiciozë”, ka thënë Gasperini.
“Ata panë tek unë mundësinë për të ndërtuar diçka. Kemi biseduar dhe jemi të vetëdijshëm për vështirësitë në tregun e transferimeve. Pronësia është e fortë, duan të investojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe ta rikthejnë Romën në majat e futbollit”, ka pohuar tekniku italian.
Presioni në Romë?
“Të gjithë më paralajmëruan për këtë, por presioni është një forcë. Shoh entuziazëm dhe dëshirë për të arritur objektiva. Gjithçka duhet kanalizuar në mënyrën më të mirë. Nëse vitet e fundit ka pasur vështirësi, duhet të korrigjohen për ta bërë Romën më konkurruese”.
“Nëse Napoli fitoi Scudetton dhe PSG u ngjit në majën e Evropës, kjo do të thotë se rezultatet janë të arritshme. Për t’i arritur, duhet të ndërtojmë në mënyrën e duhur. Ju gjithashtu kërkoni më të mirën nga Roma, dhe nëse arrijmë ta bëjmë këtë, do të jemi më të fortë”, ka pohuar Gasperini.