“Presioni ishte i lartë”, Broja pas golit: Jam tepër i emocionuar
Armando Broja e nisi vitin 2024 me gol. Ylli shqiptar realizoi në triumfin 4-0 që skuadra e Chelseat arriti në shtëpi ndaj Preston në duelin e vlefshëm për FA Cup.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare u shpreh tepër i lumtur për këtë realizim, teksa në prononcimin e dhënë për BBC pas ndeshjes deklaroi:
“Ishte një shfaqe e bukur. Luftuam pak në pjesën e parë për të gjetur golin, por edhe kundërshtarët po mbronin mirë. Pastaj bëmë ndryshime dhe goli i parë e hapi ndeshjen. Në fillim e patëm shumë të vështirë për t’i thyer.
Ne jemi një skuadër shumë e re, të gjithë e dinë këtë. Kemi një ekip krejtësisht të ri me shumë lojtarë të rinj. Përpiqemi të lidhemi së bashku dhe është mirë ta ndërtojmë këtë gjë për shumë vite në vazhdim.
Momente të tilla janë ato që të bëjnë të lumtur dhe të sjellin një buzëqeshje në fytyrën tënde. Shumë njerëz nuk i shohin ditët e këqija. Ka shumë presion mbi shpatullat kur presin të shënosh çdo ndeshje. Mundohem t’i lë ditët e këqija të kalojnë dhe të shikoj përpara për ditët e mira. Sot ishte një nga ato ditët më të mira.
Të vish nga pankina dhe të luash disa ndeshje dhe të mos shënosh nuk është e lehtë. Jam shumë i emocionuar dhe i lumtur që shënova atë gol sot. Shpresoj që të ketë shumë të tjera në të ardhmen”, deklaroi Broja.