Presidentja Osmani krahas liderëve botërorë në Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’
Presidentja Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit të Republikës Emmanuel Macron dhe të presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, ka udhëtuar për në Paris për të marrë pjesë krahas liderëve të shumtë botërorë, në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike “Paris 2024”, dhe për t`i mbështetur 9 sportistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në këto Lojëra.
Me këtë rast, presidentja Osmani ka potencuar se për Kosovën, pjesëmarrja në Lojërat Olimpike paraqet kulmin e punës së palodhur, përkushtimit dhe vendosmërisë së sportistëve kosovarë.
“Është një dëshmi e qëndrueshmërisë së shtetit tonë dhe aftësisë për t’u ngritur mbi sfidat dhe për të shkëlqyer në skenën botërore”, ka theksuar Osmani, njofton Presidenca, raporton rtk.
Në kuadër të vizitës në Paris, Osmani do të marrë pjesë në Samitin “Sporti për zhvillim të qëndrueshëm”, i cili organizohet nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Gjatë qëndrimit në Paris, Osmani e shoqëruar nga zotëria i parë, Prindon Sadriu, janë të ftuar në pritjen e organizuar nga presidenti i Francës në Pallatin Elize dhe në të njëjtën kohë do ta ndjekin paraqitjen e sportistëve të Republikës së Kosovës në Trokadero.
Ata gjithashtu, sipas njoftimit të Presidencës, janë të ftuar edhe në darkën e organizuar nga presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Kosova në Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’, do të përfaqësohet me 9 sportistë në disa disiplina sportive.
Presidentja ka uruar garuesit dhe ka shfaqur bindjen se ata do ta përfaqësojnë denjësisht Republikën e Kosovës si dhe do të kthehen faqebardhë nga Parisi.