
Presidentja Osmani: Është koha që NATO t’i hapë dyert për Republikën e Kosovës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se ka ardhur koha që NATO t’i hapë dyert për Kosovën, duke theksuar kontributin dhe përkushtimin e vendit ndaj vlerave të përbashkëta të sigurisë dhe paqes.
Gjatë fjalimit të mbajtur në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, që po zhvillohet në Dayton të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Osmani theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Aleancë dhe besimin e palëkundur të qytetarëve kosovarë në këtë organizatë.
“Në Kosovë besojmë në fuqinë e transparencës së kësaj Aleance – jo vetëm për fuqinë ushtarake, apo për arritjet strategjike – por mbi të gjitha për angazhimin e saj të palëkundur për paqen,” deklaroi Osmani.
Ajo gjithashtu bëri të ditur se Kosova synon të dyfishojë buxhetin për mbrojtje në vitet e ardhshme, duke e cilësuar aftësinë për të mbrojtur paqen si një nga misionet më të rëndësishme të vendit.
“Tani është në dorë të NATO-s që t’i hapë dyert e saj për partnerë si Kosova, e cila për shumë kohë ka kontribuar në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta në të mirë të sigurisë globale,” theksoi presidentja.
Osmani kujtoi edhe të kaluarën e dhimbshme të Kosovës, duke përmendur frikën që kishin fëmijët gjatë luftës, dhe kontrastin me të tashmen, ku ata janë pjesë e universiteteve më të njohura në botë – një arritje që, sipas saj, nuk do të ishte e mundur pa ndërhyrjen dhe përkrahjen e NATO-s.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë, presidentja Osmani theksoi se kjo na rikujton se paqja nuk është e garantuar dhe se solidariteti ndërkombëtar mbetet jetik.
“Lufta në Ukrainë na kujton se paqja nuk është e përhershme. Është përgjegjësi e përbashkët që ta mbrojmë atë,” përfundoi ajo. /Rekordi.net