Presidentin Ademi uron gazetarët sportivë: Jeni dokumentuesit e historisë së futbollit tonë

Presidentin Ademi uron gazetarët sportivë: Jeni dokumentuesit e historisë së futbollit tonë

Me rastin e Ditës Botërore të Gazetarëve Sportivë, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka uruar gazetarët sportivë, duke i falënderuar për përkushtimin dhe profesionalizmin në pasqyrimin e futbollit dhe sportit në Kosovë.

Në mesazhin e tij, Ademi theksoi se gazetaria sportive shkon përtej raportimit të rezultateve, duke e cilësuar atë si dokumentuese të historisë dhe emocioneve që shoqërojnë sportin.

“Gazetaria sportive nuk është vetëm raportim i rezultateve apo i ngjarjeve. Ajo është dokumentim i historisë, përcjellje e emocioneve dhe ndërtim i kujtesës kolektive të çdo suksesi, sfide e momenti që e shënon futbollin tonë”, u shpreh Ademi.

Presidenti i FFK-së vlerësoi rolin e gazetarëve në përcjelljen e zhvillimeve të futbollit kosovar, duke kujtuar emocionet dhe sukseset e viteve të fundit.

Ai u ndal edhe te rrugëtimi i fundit i Kombëtares së Kosovës, duke theksuar se ekipi ishte shumë pranë realizimit të një ëndrre historike.
“Sivjet ishim vetëm 90 minuta larg pjesëmarrjes në Kupën e Botës 2026. Ndonëse kjo ëndërr mbeti për pak pa u realizuar, jam i bindur se dita kur Kosova do të jetë pjesë e një Botërori apo Evropiani nuk është e largët”, deklaroi ai.

Ademi theksoi se shoqëria ka nevojë për media të lira, profesionale dhe të përgjegjshme, duke nënvizuar se kritika konstruktive është gjithmonë e mirëpritur, pasi ndihmon në përmirësimin e punës dhe zhvillimin e futbollit.
Në fund të mesazhit, presidenti i FFK-së ritheksoi se Federata do të vazhdojë të kultivojë bashkëpunim, transparencë dhe respekt të ndërsjellë me mediat, ndërsa u uroi gazetarëve sportivë shëndet, suksese në karrierë dhe sa më shumë momente të mëdha sportive.

“Gëzuar Ditën Botërore të Gazetarëve Sportivë!”, përfundon urimi i presidentit të FFK-së, Agim Ademi.

Share This