
Presidenti iranian: S’mund të na e hiqni të drejtën e programit bërthamor duke na kërcënuar me luftë
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka deklaruar se Irani është i gatshëm të sigurojë garanci për aktivitetet e tij bërthamore paqësore brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar.
Sipas tij, Iranit nuk mund t’i hiqet e drejta për të ndjekur një program bërthamor paqësor.
“Irani gjithmonë ka njoftuar se është i gatshëm të sigurojë garanci dhe të ndërtojë besim në aktivitetet e tij paqësore bërthamore brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar, ” është shprehur Pezeshkian gjatë një telefonate me presidentin Francez Emmanuel Macron, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve IRNA.
Ai ka theksuar gjithashtu se “të drejtat e dhëna vendeve dhe kombeve me të drejtën ndërkombëtare nuk mund të merren prej tyre me kërcënime ose luftë. ”
Ndërkaq, më herët, Mbikëqyrja bërthamore e Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se funksioni i centrifugave në kompleksin kërkimor bërthamor të Iranit në Isfahan është dëmtuar nga sulmet izraelite, por nuk ekziston rreziku i rrjedhjes së materialeve të rrezikshme.
Në një përditësim të postuar në faqen e internetit të IAEA-s, Drejtori i Përgjithshëm Rafael Grossi tha se objekti ka qenë më parë nën monitorimin e IAEA-s si pjesë e Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit, të marrëveshjes bërthamore të arritur midis Iranit dhe fuqive botërore në 2015.
“Ne e njohim mirë këtë objekt. Nuk kishte asnjë material bërthamor në këtë vend dhe për këtë arsye sulmi ndaj tij nuk do të ketë pasoja radiologjike” tha Grossi.
Më herët sot, zëvendësguvernatori provincial i Isfahanit u citua nga agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Fars duke thënë se sulmet ajrore izraelite më herët gjatë ditës kishin shënjestruar kompleksin më të madh të kërkimit bërthamor të Iranit.
Ndërkaq, më herët Izraeli ka bërë të ditur se ka penguar krijimin e armës bërthamore nga Irani të paktën për 2 vitet e fundit.
Nga ana e tij Izraeli thekson se forca e tij ajrore kishte filluar sulmet ajrore ndaj depozitimit të raketave në Iranin qendror, një valë sulmesh që sipas Tel Avivit kanë për qëllim parandalimin e Iranit nga zhvillimi i armëve bërthamore — një ambicie që Teherani ka mohuar. /rtsh/