
Presidenti i KE-së, António Costa sot në Kosovë, takon Osmanin e Kurtin
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, pritet të arrijë sot në Republikën e Kosovës në kuadër të një vizite zyrtare në rajon, një ditë pas qëndrimit të tij në Beograd.
Vizita e tij në Prishtinë vjen në një kohë kur dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet në fokus të agjendës evropiane për Ballkanin Perëndimor.
Costa do të arrijë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës gjatë pasdites, për të vijuar më pas me takime të nivelit të lartë institucional. Në orën 16:30, ai do të pritet nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Zyrën e Presidencës. Pas takimit, është paraparë të mbahet një konferencë e përbashkët për media.
Ndërkohë, në orën 18:40, Costa do të zhvillojë takim me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në ambientet e Zyrës së Kryeministrit.
Vizita e tij në Kosovë pason deklaratat e bëra një ditë më parë në Beograd, ku theksoi se “dialogu me Kosovën mbetet një nga kushtet kyçe për përparimin e Serbisë në procesin e integrimit evropian”, raporton rtk.