Presidenti i Ballkanit: Ilir Dajën e lirojmë nëse e kërkon Kosova

Presidenti i Ballkanit: Ilir Dajën e lirojmë nëse e kërkon Kosova

Presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi ka thënë se klubi suharekas mund ta lirojë trajnerin Ilir Daja, nëse ai kërkohet nga FFK-ja, për përzgjedhës të ri të Përfaqësueses së Kosovës.

Tekniku shqiptar është ndër emrat e “lakuar” në media, për pozitën e përzgjedhësit të ekipit përfaqësues të Kosovës.

Arsim Kabashi, kreu i kampionëve në fuqi të Kosovës, në një prononcim për lajmi.net ka konfirmuar se Dajën do të lirojnë nëse ai kërkohet nga Kosova.

“Trajner më të mirë se Ilir Daja nuk ka. Jemi të gatshëm ta lirojmë atë gjithmonë për Kosovën” – ka thënë Arsim Kabashi.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka mbetur pa trajner, pas largimit të Primoz Glihas, i cili u emërua përkohësisht te Kosova, pas shkarkimit të Alain Giresse.

Federata e Futbollit e Kosovës është në kërkim të një trajneri të ri, i cili do t’i drejtojë “Dardanët” për eliminatoret e Botërorit të ardhshëm.

Ilir Daja ka kontratë valide me Ballkanin deri në verën e vitit 2024.

Daja ka shënuar suksese të mëdha me “portokallezinjtë” nga Suhareka. Ai fitoi dy herë rresht titullin e kampionit me Ballkanin dhe gjithashtu arriti të kualifikohej në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës në dy vite radhazi.

Share This