Presidenti i Ballkanit e konfirmon transferimin e Zybës te Legia Varshava

Presidenti i Ballkanit e konfirmon transferimin e Zybës te Legia Varshava

Presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi e ka konfirmuar për “Gazetën Express” marrëveshjen për transferimin e Qëndrim Zybës tek Legia Varshava.

Mesfushori kualitativ i dha fund eksperiencës së suksesshme tek ekipi Portokalli, përmes së cilit depërtoi edhe në Kombëtaren e Kosovës.

“E kemi përfunduar marrëveshjen për transferimin e Zybës”, u shpreh Kabashi.

Kjo lëvizje vjen pasi klubi nga kryeqyteti polak kishte vëzhguar për një kohë mesfushorin e Ballkanit.

Sipas mediumit nga Polonia “TVPSport”, nënkampionët e këtij vendi patën mundësi ta vëzhgonin Zybën në Turqi, atje ku i kryen përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit – siç bëri edhe Ballkani.

22 vjeçari do t’ju nënshtrohet testeve mjekësore në Legia në ditët në vijim.

Çështja e transferimit pritet të përmbyllet brenda tre ditëve të ardhshme.

Transferimi do të jetë në bazë të përhershme, teksa klubi nga Theranda besohet se do të përfitojë 500 mijë euro nga shitja e Zybës.

Zyba është pjesë e Ballkanit nga viti 2022, kur kishte kaluar nga Prishtina.

Ai numëron edhe katër paraqitje me Kombëtaren e Kosovës.

Share This