Presidenti Agim Ademi po merr pjesë në jubileun e 20 të ‘ASPIRE Academy’ dhe në ceremoninë “The Best FIFA Football Awards 2024”
Presidenti Agim Ademi po qëndron në Doha të Katarit, ku po merr pjesë në dy ngjarje të rëndësishme të futbollit: jubileun e 20-të të themelimit të Akademisë së Zhvillimit të Talenteve “ASPIRE Academy” dhe ceremoninë prestigjioze “The Best FIFA Football Awards 2024”.
Këto dy ngjarje, të organizuara nga Federata e Futbollit të Katarit, përkatësisht FIFA, kanë mbledhur personalitete të rëndësishme të futbollit botëror. Presidenti Ademi po merr pjesë në këto evente së bashku me presidentin e Federatës Turke të Futbollit, Ibrahim Haciosmanoglu, me të cilin ka një bashkëpunim të shkëlqyer. Federata Turke ka dhënë gjithmonë përkrahje të madhe për FFK-në në të gjitha periudhat dhe kjo mbështetje po vazhdon edhe në kohën e udhëheqjes së presidentit Haciosmanoglu.
Gjithashtu, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, vazhdon ta mbështesë dhe vlerësojë punën e madhe të FFK-së, duke ftuar rregullisht presidentin Agim Ademi në ngjarje të mëdha botërore të futbollit, qoftë në takime zyrtare apo evente prestigjioze si kjo e sotmja.